Zona e Pashallisë, në zemër të Bashkisë Dimal, mbart vlera të dukshme natyrore, kulturore,j  që do të mund të mbështesnin forma të reja zhvillimi, si turizmi natyror . Por realiteti i përditshëm i këtij vendi është i ndikuar dukshëm nga një sektor i fuqishëm ekonomik: GURORET.

Të vendosura pranë zonave të banuara, guroret kanë kontribuar në punësim dhe në përmirësimin e infrastrukturës në disa segmente të zonës, por njëkohësisht kanë sjellë ndikime që ndihen çdo ditë në jetën e përditshme të komunitetit. Aktivitetet e nxjerrjes së gurit shoqërohen me ndotje të formave të ndryshme si ndotje natyrore, ndotje akustike dhe më e rëndësishmja ndotja e peizazhit përreth. Kontaminimi i tokës dhe mungesa e mbikëqyrjes së vazhdueshme i shton shqetësimet për pasoja afatgjata mjedisore.Por, pikërisht në përpjekjen për të ruajtur balancën mes përfitimit ekonomik dhe jetës së shëndetshme në komunitet qëndron edhe mundësia për zhvillim të qëndrueshëm. Problemet mjedisore mund të shërbejnë si nxitje për të eksploruar rrugë të reja zhvillimi: forma më të qëndrueshme ekonomie që nuk dëmtojnë peizazhin, por e pasurojnë atë. Iniciativat për promovimin e produkteve vendase apo turizmin e gjelbër, mund të rrisin vlerën e zonës dhe ekoniminë e saj, pa pasur nevojë për ndërhyrje ekstreme në natyrë.

Pashallia mbetet një zonë me potencial të pazhvilluar plotësisht. Përtej sfidave, ka hapësirë për ide të reja që e lidhin njeriun me vendin e vet në mënyrë të thellë dhe të ndërgjegjshme. Dhe kur kjo lidhje ndodh natyrshëm, rruga dhe mundësitë e shumta për të ndërtuar, jetuar dhe përmirësuar këtu bëhet më e dukshme dhe si rrjedhojë fenomeni i migrimit zbehet.

Punoi: Destjana Fesko