Berati, qyteti i një mbi një dritareve, mbetet një nga destinacionet më të veçanta në Shqipëri për nga trashëgimia historike, arkitektura karakteristike dhe peizazhi natyror i mrekullueshëm. I përfshirë në listën e Trashëgimisë Botërore të UNESCO-s, ai tërheq çdo vit mijëra vizitorë nga brenda dhe jashtë vendit. Megjithatë, pas fasadës së bukur fshihen një sërë problematikash që pengojnë zhvillimin e qëndrueshëm të turizmit në këtë qytet historic.
Një ndër atraksionet më të njohura në Berat është Kalaja, e ndërtuar në majë të një kodre, që ofron një pamje të bukur të gjithë qytetit dhe fushave përreth. Brenda kalasë ka shtëpi të vjetra që janë ende të banuara, kisha ortodokse, rrugë me kalldrëm dhe një atmosferë që të kthen pas në kohë. Aty ndodhet edhe Muzeu Onufri, i cili ruan vepra të rëndësishme të artit ikonografik shqiptar, të punuara nga mjeshtri Onufri dhe piktorë të tjerë të shekujve XVI–XVIII.
Qyteti ndahet në tri lagje të njohura: Mangalem, Gorica dhe Kalaja. Mangalemi dhe Gorica ndodhen në dy anët e lumit Osum, dhe janë të lidhura me urën e Goricës, një urë guri e ndërtuar në shekullin XVIII, që sot është një simbol i qytetit. Shtëpitë me dritare të shumta, rrugicat e ngushta dhe atmosfera tradicionale i japin qytetit një ndjenjë të veçantë dhe të ngrohtë.
Në Berat mund të vizitohen edhe xhami historike si Xhamia e Beqarëve, Xhamia e Plumbit dhe Teqeja e Helvetive. Këto ndërtesa tregojnë tolerancën dhe bashkëjetesën fetare që ka ekzistuar ndër shekuj në këtë qytet.
Përveç kulturës dhe historisë, Berati ofron edhe bukuri natyrore. Pranë qytetit ndodhen kanionet e Osumit, një vend shumë i pëlqyer për sporte aventure si rafting, eksplorim shpellash dhe ecje në natyrë. Kanionet janë një nga mrekullitë natyrore të Shqipërisë dhe gjithnjë e më shumë po tërheqin vizitorë të huaj.
Vizitorët në Berat shijojnë edhe gatimet tradicionale të zonës, si tavë kosi, japrakë, byrekë me zarzavate apo mish, si dhe ëmbëlsira si ballokumet dhe petullat me mjaltë. Mikpritja e banorëve është një tjetër vlerë e këtij qyteti — vendasit janë shumë të sjellshëm dhe të gatshëm të ndihmojnë çdo turist.
Sot, turizmi është një burim i rëndësishëm i të ardhurave për qytetin. Gjithnjë e më shumë shtëpi të vjetra po kthehen në bujtina tradicionale, dhe shumë të rinj janë përfshirë në guida turistike, shërbime pritjeje dhe artizanat. Me ruajtjen e trashëgimisë, zhvillimin e turizmit dhe promovimin e kulturës, Berati vazhdon të mbetet një nga qytetet më të dashura dhe më të vizituara të Shqipërisë. Vizita në Berat është një përvojë që të lidh me historinë, natyrën dhe shpirtin e vërtetë shqiptar.
PUNOI: XHENSILA MUHAMETAJ

