Në zemër të Dimalit, mes gjelbërimit dhe qetësisë natyrore të fshatit Çiflig, gjenden puset e vjetra të naftës – dëshmi e një epoke industriale tashmë të shkuar, por që vazhdon të lërë pasojat e saj edhe sot. Dikur simbol i zhvillimit ekonomik, sot këto puse janë kthyer në burim ndotjeje, pamje të trishtuara dhe pengesë serioze për zhvillimin e turizmit lokal.
Puset, të ndërtuara gjatë periudhës komuniste, përfaqësonin krenarinë e prodhimit vendas të naftës. Por me kalimin e kohës dhe me rënien e vëmendjes institucionale, ato janë lënë pas dore. Shumë prej tyre janë ende të hapura, të pa-rrethuara dhe pa ndonjë shenjë paralajmëruese, duke paraqitur rrezik real për banorët, kafshët dhe kalimtarët. Më keq akoma, nga disa prej tyre ndihen ende aroma e rëndë e naftës dhe mbetje të mbledhura ndër vite, që përbëjnë një kërcënim të heshtur për mjedisin përreth.
Përveç rrezikut fizik dhe ndotjes, kjo zonë e pasur në natyrë dhe histori ka mbetur e izoluar edhe në aspektin turistik. Në mungesë të ndërhyrjeve nga bashkia apo institucione të tjera, turistët që udhëtojnë në Dimal rrallë e dinë për ekzistencën e kësaj zone. Nuk ka tabela, rrugë të sistemuara, sinjalistikë apo ndonjë lloj informacioni që të tregojë historikun dhe rëndësinë e këtij vendi.
Megjithatë, potenciali ekziston. Me ndërhyrje të kujdesshme, zona mund të kthehet në një atraksion unik për turistët që duan të njohin historinë industriale të Shqipërisë ose për studentë dhe studiues të fushës së energjisë.
Kjo zonë nuk duhet parë më si një vend i ndotur dhe i rrezikshëm, por si një mundësi për të ndërtuar diçka të re mbi rrënojat e së shkuarës. Me pak vëmendje, Çifligu mund të bëhet një shembull i suksesshëm i bashkëjetesës së historisë industriale me zhvillimin e qëndrueshëm turistik. Çifligu nuk ka nevojë për mrekulli, por për kujdes dhe vëmendje. Potenciali ekziston – mjafton të duam ta shohim dhe zhvillojmë.
Martina Nurellari